Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, mirëpritën në ndërtesën e qeverisë një delegacion të Odës Ekonomike të Gjenevës, të drejtuar nga Kryetari i saj, Vincent Subilia.
Sipas njoftimit gjatë takimit, anëtarët e Odës Ekonomike të Gjenevës u njoftuan për trendet ekonomike në Kosovë dhe performancën makroekonomike të vendit.
‘’Nga kryeministri Kurti dhe ministri Murati u theksua se gjatë katër viteve të fundit ekonomia ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej 6% të Bruto Produktit Vendor, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti rritja ka qenë 3.6%. Në këtë kontekst, pjesëmarrësit u informuan gjithashtu se Kosova ka marrë për herë të parë një vlerësim kreditor sovran nga agjencia Fitch Ratings me notën BB-, e cila është rikonfirmuar edhe në vitin 2024. Me tej, u njoftuan edhe me karakteristikat dhe përparësitë e vendit tonë për investime të huaja si kostoja e ulëta operative, mosha e re e popullatës, aftësia e fuqisë punëtore për të folur shumë gjuhë, sidomos anglisht dhe gjermanisht, dhe shkathtësitë në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit’’ thuhet në njoftim.
Pjesë e diskutimit ishte po ashtu roli i diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit, ku diaspora u paraqit potencial për investime në sektorin e prodhimit, përmirësimin e eksporteve dhe forcimin e brendit kombëtar.
Në fund të takimit, u diskutuan mundësi të mëtejshme për bashkëpunim konkret ekonomik dhe përfshirja e bizneseve anëtare të Odës Ekonomike të Gjenevës në sektorë të caktuar në Kosovë.