Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 7 Marsit, festës së Mësuesit, u takua me Osman Jakupin dhe Afërdita Devën.
Teksa me të parin ishte bashkë në burgjet e Serbisë, Kurti tregon se Afërdita është vajza e vetme e mësueses së tij, Nafije Dobruna-Devës.
“Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit” shkroi Kurti në Facebook.
Ky është njoftimi i plotë i Kurtit:
Mësuesi Osman, i plagosur e i burgosur, dhe Afërdita, vajza e mësueses Nafije
Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj.
Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III.
Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit.