Ndihmësadministratorja e USAID-it, Erin E. McKee po qëndron në Kosovë, me çrast edhe ka takuar përfaqësuesit e shtetit.
Kryeministri Kurti pas takimit me McKee ka thënë se ndihma e USAID-it për Kosovën deri më tani kap vlerën e mbi një miliardë dollarëve.
“Ne jemi mirënjohës si popull për çdo cent të kësaj ndihme që i është bërë Kosovës nga USAID-i”, deklaroi Kurti.
Kryeministri tha se Kosova me SHBA-në ndan vlerat dhe orientimet e përbashkëta, derisa me popullin amerikan ndajmë bindjet e përbashkëta për liri e demokraci.
“Te USAID-i ne gjejmë edhe SHBA-në si shtet edhe popullin mik amerikan. Andaj le t’i zgjerojmë lidhjet dhe le ta zgjerojmë bashkëpunimin në shërbim të dy vendeve dhe dy popujve tanë mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë”, deklaroi ndër të tjera Kurti.
Edhe presidentja Osmani ka kujtuar kontributin e USAID duke investuar miliardë dollarë për forcimin e institucioneve të Kosovës, demokratizimin e vendit dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.