Kryeministri Albin Kurti ka thënë se një skenar i njëjtë me atë në Banjskë mund të provohet përsëri, por se sipas tij, një gjë e tillë nuk do të lejohet të ndodhë, njofton Gazeta Enigma.
Megjithatë, ai tha se rreziku është që serbët të përdorin mënyra të tjera, por me qëllim të njëjtë.
“Nuk besoj se ata do ta përsërisin Banjskën, por më shumë do të provojnë të bëjnë një gjë me qëllimin e njëjtë, por me mënyra të tjera. Ata e kanë marrë mësimin më 24 shtator dhe shumica dërrmuese e kriminelëve kanë ikur nga veriu i Kosovës. Ata e provuan me njësitë paramilitare me dhjetëra terroristë më 24 shtator. Ata na e vranë në pritë rreshterin tonë Afrim Bunjaku, por u vranë edhe 3 terroristë serbë dhe ikën me turp. Katër depo armatimi i kemi shkatërruar në 2023, më e madhja me mbi 5 milionë euro armatim dhe municion, në Zveçan”, tha Kurti në një intervistë për A2CNN.
Kurti tha se Kosova duhet të bëjë kapacitete dhe aftësi ushtarake të tilla që sulmin e mundshëm të Serbisë, ta bëjnë të paleverdishëm.
“Unë besoj se Serbia e ka kuptuar këtë gjë. Natyrisht, ne kemi edhe partnerët, miqtë tanë, kemi Republikën e Serbisë, kemi shqiptarët në Ballkan dhe jo vetëm dhe e kemi NATO-n, e cila edhe pse nuk na ka pranuar në gjirin e saj, ne e kemi të integruar në arkitekturën tonë të sigurisë”, deklaroi i pari i Qeverisë së Kosovës. /Gazeta Enigma