Lëvizja Vetëvendosje këtë të martë ka zhvilluar takimin e radhës elektoral në kuadër të fushtës zgjedhore në Therandë, raporton Gazeta “Enigma”.
“Në Therandën e punëtorëve fisnik dhe bujqve të ndershëm, të kulturës e patriotizmit, në Therandën e pendës, të bukës, të këngës e të pushkës, në tubimin e jashtëzakonshëm që konfirmoi se Theranda është pjesë e pandashme e fitores së 500 mijë zemrave që rrahin si një, anembanë e cep më cep Kosovës për numrin 118”, thuhet në njoftimin e LVV.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në fjalën e saj të këtij tubimi paraqiti investimet që janë bërë në Therandë nga Ministria e Arsimit, duke theksuar se aty janë investuar mbi 5 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, në salla e pajisje sportive, kabinete, laboratore, inventare për shkollat dhe kopshtet, duke nënvizuar përfundimin e çerdhes në Therandë me kapacitetin për 160 fëmijë.
“Kryeministri Kurti tashmë ka shpallur vitin 2025 si vit i gruas, andaj më 9 shkurt votojmë për një qeveri që ju çmon dhe ju vlerëson, që ua njeh mundin dhe punën, që e kupton forcën e madhe të grave dhe vajzave, kapcaitetin e tyre, vlerat e jashtëzakonshme që gratë sjellin në progresin ekonomik dhe shoqëror”, tha ministrja Nagavci teksa iu drejtua grave e vajzave të Therandës dhe të gjithë Kosovës.
“Nuk po mund të kthehemi në Prishtinë aq kollaj, për shkak të kësaj mikpritjeje kaq të përzemërt për koalicionin tonë të LËVIZJES VETËVENDOSJE! me partinë Guxo e me partinë Alternativa”, tha kryeministri Albin Kurti në hapje të fjalës së tij përballë qytetarëve të Therandës, që ishin aq entuziastë e të zëshëm për fitoren e madhe të 9 shkurtit.