Kryeministri Albin Kurti është shprehur i bindur se partia të cilën ai e drejton, Lëvizja Vetëvendosje, do të ketë edhe më shumë vota sesa që mori më 2021, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë, njofton Gazeta Enigma.
“Unë besoj që në zgjedhjet e ardhshme do të dalim edhe më të fortë se në ato që shkuan. Nuk e di se çfarë përqindjesh do të jenë, por do të dalim edhe më mirë sesa në shkurtin e vitit 2021”, deklaroi Kurti.
Ai është interesuar që të takohet me opozitën dhe ta diskutojnë muajin dhe stinën e zgjedhjeve, por se të njëjtit nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës.
“Kryetari i PDK-së ka dhënë idenë për shpërndarje të Kuvendit dhe nëse opozita do të ishte për, edhe VV-ja do të ishte për”, tha Kurti.
“Për mua, në vitin e fundit të qeverisjes nuk ka rëndësi se në cilin muaj do të mbahen zgjedhjet, por në përgjithësi në Kosovë dihet se zgjedhjet mbahen ose në pranverë ose në vjeshtë”, u shpreh tutje ai në A2 CNN.
LVV kishte fituar 50.2 përqind të votave më 2021, duke krijuar vetë mazhorancën. /Gazeta Enigma