Pas emërimit të bordeve të reja të ndërmarrjeve Trepça dhe KEK, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në konferencë për media, duke thënë se këto borde do të funksionojnë më mirë.
Kurti ka bërë thirrje që të ketë aplikime sa më profesionale kur të shpallen konkurse për ndërmarrje publike.
“Trepça dhe KEK-u do të mund të funksionojnë më mirë për shkak që i kanë bordet e rregullta. I bëj thirrje profesionistëve që kur të shpallim konkursin të aplikojnë, për shkak që duam të kemi njerëz me kompetencë në këto ndërmarrje. Në Trepçë i kemi 5 anëtarë e na duhen edhe 4, i bëj thirrje grave si dhe pjesëtarëve të pakicave. Ndërsa në KEK i kemi 6 anëtarë”, ka deklaruar Albin Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka emëruar bordet e reja mbikëqyrse të ndërmarrjeve publike KEK dhe Trepça.