Kurti udhëton në Zvicër, ftoi bizneset private të investojnë në Kosovë

Kurti udhëton në Zvicër, ftoi bizneset private të investojnë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë udhëtuar të martën në Zvicër, prej ku kanë prezantuar mundësitë që Kosova ofron për investitorë dhe investime të huaja.

Në Samitin e Investitorëve në Cyrih, të organizuar nga Qeveria e Kosovës, më shumë se 60 ndërmarrës kanë pasur mundësinë të dëgjojnë se çka ofron Kosova.

“Para më shumë se 60 ndërmarrësve dhe drejtuesve të kompanive të ndryshme, në fushën e infrastrukturës, mjedisit, energjisë, prodhimit dhe teknologjisë së informacionit, Kryeministri Kurti dhe delegacioni qeveritar prezantuan mundësitë që Kosova ofron për investitorë dhe investime të huaja” – thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Sipas komunikatës, të pranishmit u njoftuan për përparimin në fushën e sundimit të ligjit dhe për stabilitetin institucional, për politika fiskale të zbatuara në vend, planet investive të Qeverisë dhe karakteristika e fuqisë punëtore në Kosovë.

“Marrë parasysh ndryshimet pozitive në dy vitet e fundit dhe kushtet e favorshme që ofrohen, Kryeministri Kurti ftoi bizneset zvicerane që të investojnë në Kosovë. Pas prezantimeve hyrëse, kryeministri Kurti së bashku me këshilltarin e tij për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu, po ashtu ishin pjesë e panelit të diskutimit në të cilin u trajtuan më detajisht specifikat dhe përparësitë e të bërit biznes në Kosovë” – thuhet në komunikatë.

Sot, kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. / Gazeta Enigma.

Related Articles