Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e aleancës ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve në ruajtjen e vlerave të përbashkëta të lirisë, barazisë dhe demokracisë.
“Sot, në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës hyjnë në vitin e 250-të të ekzistencës së tyre, i uroj presidentit Donald J. Trump dhe të gjithë popullit të ShBA-ve gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, ka shkruar Kurti në postimin e tij.
Ai ka nënvizuar se në kohën kur paqja dhe siguria ndërkombëtare po rrezikohen gjithnjë e më shumë, idealet e Deklaratës së Pavarësisë të vitit 1776 janë po aq të rëndësishme sot sa ishin atëherë.
“Jemi mirënjohës për miqësinë dhe krenarë për bashkëpunimin e partneritetin ndërmjet Republikës sonë dhe ShBA-ve në mbrojtjen e po atyre idealeve,” ka thënë Kurti, duke përmendur në veçanti zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, mbështetjen për Ukrainën dhe strehimin e refugjatëve afganë si shembuj të bashkëpunimit të suksesshëm.
Në fund të urimit, Kurti ka shprehur dëshirën që “aleanca e dy shteteve tona dhe miqësia e ngushtë e popujve tanë të jetë e përhershme.”