Kurti uron Slloveninë në 31-vjetorin e shtetësisë

Kurti uron Slloveninë në 31-vjetorin e shtetësisë

Në manifestimin e organizuar nga Ambasada e Sllovenisë në Kosovë, me rastin e shënimit të përvjetorit të 31-të të Ditës së Shtetësisë së Republikës së Sllovenisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti , shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Kurti, në emër të qytetarëve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, uroi Ditën e Shtetësisë së Sllovenisë.

“Ky aktivitet festiv është një rast i mirë për të përkujtuar edhe raportet historikisht të mira ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve tona. Kosova gjithmonë ka gjetur te Sllovenia një mik të sinqertë, i cili ka mbështetur në vazhdimësi aspiratat dhe përpjekjet e popullit të Kosovës, për të arritur lirinë dhe pavarësinë, e për të konsoliduar shtetësinë e saj”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se Republika e Sllovenisë sot mbetet një nga modelet më të suksesshme për t’u ndjekur në rrugën e zhvillimit dhe progresit, duke u bazuar në vlerat më të avancuara të demokracisë.

Nga perspektiva historike, mund të themi lirisht se përpjekjet e suksesshme të popullit slloven për arritjen dhe konsolidimin e shtetësisë në fillim të viteve të 90-ta, ishin një udhërrëfyes frymëzues edhe për popujt e tjerë në rajonin tonë, në luftën për liri dhe pavarësi”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar lidhjet e thella ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, kryeministri evokoi kujtime nga koha kur kishte lexuar novelën “Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij” të shkrimtarit modernist e social-demokrat slloven Ivan Cankar, që përputhej me kohën e fjalimit të presidentit të atëhershëm slloven Milan Kuçan, në Cankarejev Dom, në mbështetje të grevës së minatorëve të Trepçës më 27 shkurt të 1989-ës.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Sllovenisë dhënë Kosovës në të gjitha etapat, duke qenë edhe shteti i parë i dalë nga Jugosllavia, i cili e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, pak javë pas shpalljes së pavarësisë, më 17 Shkurt 2008.

“E çmojmë lart mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë për Kosovën, me theks të veçantë në proceset integruese në strukturat euroatlantike, për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe për anëtarësimin në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se Sllovenia ka qenë dhe mbetet një prej partnerëve të rëndësishëm ekonomik, social, e në fusha të tjera për Kosovën.

Related Articles