Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 17-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, në konferencën për media ka thënë se VV-ja ka dëshmuar qeverisje të mirë e shënim progresi në Kosovë.
“Vetëvendosje ka dëshmuar që mund të qeveriset mirë e të shënohet progres në republikën tonë”, ka thënë Kurti.
Ai, në një konferencë për medie, tha se me angazhim e punë, kanë arritur, sipas tij, të bëjnë më të mirën për vendin.
Kurti tha se për këtë vit qeverisje kanë arritur të krijojnë qeverisje alternative, siç tha ai, ndryshe nga të kaluarat.
“Ka qenë një vit me kriza të shumëfishta por me angazhim e punë, me vendosmëri e guxim, me dije e me plane, kemi arritur të bëjmë më të mirën. Në një vit qeverisje, lëvizja jonë përveç se ka bërë prerje të qartë me të kaluarën, ka dëshmuar se ka qeverisje alternative, tjetër prej asaj që kemi parë të në të kaluarën”, shtoi ai.
Sipas tij, me qeverisjen e tyre kanë dyfishuar rritjen ekonomike, kanë bërë reforma në drejtësi si dhe kanë avancuar marrëdhëniet me shtetet mike.
“Në qeverisjen tonë kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë, kemi dyfishuar rritjen ekonomike, kemi shtyrë reforma në drejtësi, kemi luftuar krimin dhe korrupsionin, kemi avancuar aleanca dhe partneritet me shtetet mike, kemi shërbyer e mbrojtur si asnjë qeveri e mëparshme, sot nëse kthehemi prapa dhe kujtojmë fjalët që kemi thënë se si duhet të jetë një qeverisje e mirë, apo si do ta bëjmë ne një qeverisje të mirë, mund të themi se qëndrojmë drejt, dhe në kuptimtin se shumëçka bëhet e mundshme nëse duam dhe jemi të përcaktuar të punojmë në atë drejtim.. Po përpiqemi t’i plotësojmë nevojat e qytetarëve”, ka vazhduar ai.