Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin e ardhshëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Enigma.
Kurti ka thënë sërish se në takimin e 27 shkurtit në Bruksël, pala kosovare ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, mirëpo ishte Vuçiq ai që refuzoi.
“Ne deshëm ta nënshkruanim marrëveshjen më 27 shkurt. Fatkeqësisht, presidenti Vuçiq nuk deshi ta (nënshkruan atë). Kjo marrëveshje bazë e propozuar nga Bashkimi Evropian është një bazë solide për të ecur përpara dhe shpresoj që më në fund do ta arrijmë më 18 mars”, ka thënë Kurti, raporton Beta.
Kryeministri edhe një herë ka hedhur poshtë mundësinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke thënë se për shkak të rendit juridik të shtetit të Kosovës, zgjidhjet monoetnike nuk janë të mundshme.
“Unë jam këtu si kryeministër i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga identiteti i tyre kombëtar, përkatësia etnike apo fetare. Prandaj, dua t’i kënaq të gjithë qytetarët në përputhje me të drejtat, nevojat dhe dëshirat e tyre. Për shkak të rendit juridik të shtetit tonë demokratik, zgjidhjet monoetnike nuk janë të mundshme”, ka potencuar Kurti.