Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Turqve të Kosovës, ku i ka falënderuar qytetarët e vendit nga ky komunitet për kontributin e dhënë në vazhdimësi për ndërtimin dhe lartësimin e Kosovës.
Kurti tha se vitin e kaluar, qeveria ka krijuar kushte edhe më të mira për realizimin e të drejtave të komunitetit turk, si për përfaqësimin e tyre në institucionet e nivelit qendror, ashtu edhe në sigurimin e të drejtave për përdorimin e gjuhës turke.
“Në tetor të vitit të kaluar krijuam bazën ligjore që mundëson mbajtjen e konkurseve nëpër ministri për vende pune të rezervuara vetëm për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe tashmë shpalljen e tyre, në mënyrë që kuota prej 10% sipas ligjit për vendet e punës për anëtarët e komuniteteve joshumicë të mund të realizohet”.
“Gjuha turke është gjuhë zyrtare në nivel të komunës së Prizrenit dhe Mamushës dhe në përdorim zyrtar në komunat e Gjilanit, Vushtrrisë dhe Prishtinës. Sivjet, komuna e Mitrovicës së Veriut ka adoptuar vendimin për njohjen e gjuhës turke si gjuhë tradicionale në atë komunë”.
“Po ashtu, për herë të parë në Kosovë, një komunitet po merret në mbrojtje si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore, përkatësisht asetit “Opusi i shoqërisë kulturore të komunitetit turk në Prizren” në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, shkroi Kurti.
Më tej, kreu i qeverisë tha se edhe prej regjistrimit të popullsisë që po zhvillohet këto ditë, do të ketë informacione edhe më të mira për numrin e qytetarëve të Kosovës nga komunitetit turk.
Dhe synojmë që me këtë informacion të forcojmë më tej buxhetet për ta si dhe të drejtat e tyre për përfaqësim në institucione. Me këto të drejta dhe me këtë përfaqësim, forcojmë shtetin tonë multietnik dhe projektohemi drejt sukseseve të përbashkëta. Birlik ve beraberliğimizin sembolü 23 Nisan Kosova Türkleri Milli Bayramımız Kutlu Olsun”, shkroi ai