Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar sërish për situatën në të cilën ndodhet transmetuesi publik, pasi qeveria në detyrë nuk ndau buxhet për këtë institucion.
Kusari thotë se RTK-ja është përjashtuar, për shkak se, sipas saj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, e kanë mision special për ta shkatërruar Radio Televizionin e Kosovës.
“Sepse Kurti, Murati dhe njerezit e VV kane mision special me e shkaterru RTK-ne masi s’po munden ta vendosin ne kontrolle totale. Kontrolla e kufizuar aktuale te cilen jane duke e ushtru – vec kqyrni lajmet ne 19.00 – nuk po iu mjafton.Kjo eshte lufte speciale kunder lirise se medias, lufte speciale kunder RTK-se dhe neperkembje e 700 punetoreve dhe familjeve te tyre”, ka shkruar Kusari.
Ajo thotë se kjo qasje e shtetit është denigrim dhe cenim ndaj atyre që punojnë në RTK
“Une njoh njerez qe punojne ne RTK qe vuajne nga semundjet dhe per ilace po kerkojne ndihme nga familjaret. Kjo qasje eshte denigrimin dhe cenim i integritetit dhe mireqesines personale te njerezve. Pergjegjese eshte Levizja Vetevendosje dhe Kurti”, përfundoi Kusari.
