Kusari-Lila: Ideale do të ishtë shkuarja në zgjedhje

Kusari-Lila: Ideale do të ishtë shkuarja në zgjedhje

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, si ideale në këtë situatë e sheh shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Kusari-Lila thotë se edhe po të bëheshin 61 deputetë, nuk mund të konsiderohet qeveri stabile sepse pastaj çdo deputet do e shihte veten si përcaktues në çdo seancë.
“Në grupin parlamentar të LVV-së kemi diskutuar disa herë për skenarët që mund të shkojmë përpara në situatën kur kemi pasur bllokadë. Unë në vazhdimësi kam thënë se zgjedhjet duket se janë zgjidhja e vetme. Në secilin rast, funksioni i Kuvendit dhe fragjiliteti i Qeverisë me 61 deputetë në Kuvendin e Republikës – e para është stabiliteti, nuk ke kuvend stabil ndërsa e dyta fragjiliteti është i madh për Qeverinë. Secili deputet a deputete bëhet përcaktues se a do të ketë apo jo seancë të suksesshme”, deklaroi Kusari-Lila.

Duke e mbrojtur qëndrimin se zgjidhje janë zgjedhjet, Kusari-Lila theksoi se vetëm pas një viti vijmë në procesin e zgjedhjes së presidentit të shtetit dhe me një qeveri siç e quajti – të brishtë, do të ishte e vështirë.

Sipas Kusari-Lilës, partitë e opozitës së deritanishme, duket se po i presin edhe rezultatet e zgjedhjeve lokale për t’u orientuar dhe vendosur se si do të veprojnë tutje në nivel nacional.

Related Articles