Kusari-Lila: Një fitore e shëndetit mbi sëmundjen dhe një arritje e paharrueshme personale

Kusari-Lila: Një fitore e shëndetit mbi sëmundjen dhe një arritje e paharrueshme personale

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, sot ka realizuar një sfidë të rëndësishme vetëm katër muaj pas operacionit të kancerit të gjirit, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në rrjete sociale ajo ka njoftuar se sot ka marrë pjesë në gjysmë maratonën e Valetës, në Maltë.

“Katër muaj pas operacionit nga kanceri i gjirit, sot realizova një tjetër sfidë të rëndësishme: vrapova gjysmë maratonën e Valetës, në Maltë! Një garë që më vuri në provë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, me terrenin e saj kodrinor, ngritjet dhe zbritjet që tejkalonin pritshmëritë, rigat e shiut që na befasuan për pak çaste dhe erën që na shoqëroi gjatë pjesës më të madhe të rrugës. Megjithatë, asgjë nuk mund të errësonte magjinë e këtij vrapimi, mes peizazhit mahnitës të ishullit me gjysmë milion banorë dhe tri komunave që përshkuam përgjatë 21 kilometrave të garës”, ka shkruar ajo.

“Ndonëse një dhimbje në gju, e shfaqur gjatë ushtrimeve të fundit, më shoqëroi gjatë vrapimit, as ajo dhe as presioni i rikthimit në garë nuk mundën të më ndalonin. Përfundimi i kësaj gare ishte një tjetër dëshmi se sfidat janë aty për t’u kapërcyer dhe se fuqia e vullnetit është çelësi i suksesit”.

Gjatë këtij vrapimi ajo kishte të veshur një bluzë ku kishte të shkruar “Shkatërruesi i kancerit në aksion”, që sipas saj ishte sllogani i saj personal në këtë gjysmë maratonë.

“Sllogani im për këtë gjysmë maratonë ishte “Cancer Buster in Action”, ose në shqip, “Shkatërruesi i kancerit në aksion”—një mesazh personal, por edhe një thirrje për të gjithë ata që përballen me këtë sfidë, duke i inkurajuar të mos dorëzohen dhe të besojnë në forcën e tyre”, tha ajo.

“E për të bërë garën edhe më të veçantë, qershia mbi tortë ishte suksesi i kampionit të atletikës, Tirron Mamusha, i cili u rendit i dyti në kategorinë 10K me kohën mbresëlënëse 34 minuta e 14 sekonda! Faleminderit ekipit të mrekullueshëm Green Team për mbështetjen dhe këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm së bashku! Arbeni, Bujari dhe Festa, përveq Tirron kampionit, vrapuan 21 Km dhe përfunduan me sukses”, ka përfunduar ajo. /Gazeta Enigma/

Related Articles