Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se raportimet e mediave në Kosovë për martesën e vëllait të saj, janë bërë me qëllim që atë ta tërheqin nga pozicionet e saj në politikë dhe ta bëjnë të heshtë prej kauzës së saj.
Kusari-Lila ka thënë se nuk ka pasur asnjë dyshim në aspektin moral e njerëzor që t’i ofrojë mbështetje dhe dashuri vëllait të saj, dhe gjithë komunitetit LGBTI.
“Nëse kanë menduar që në atë mënyrë mund të tërheqin prej pozicioneve në politikë ose mund të të heshtin prej deklarimeve ose kauzës, e kanë shumë gabim pasi në aspektin moral e njerëzor nuk e kam asnjë dyshim që t’i ofroj mbështetje, dashuri dhe përkrahje vëllait tim, dhe gjithë komunitetit. Këtu flasim për liri, barazi, të drejtë elementare njerëzore e mbi të gjitha për dashuri. Kush jemi ne ta gjykojmë në atë brutalitet që u synua të gjykohet”, ka thënë Kusari-Lila në KTV.
Ajo ka shpjeguar se deklaratat e saj e parë në lidhje me martesën e vëllait të saj është keqinterpretuar nga mediumi, të cilin ajo e ka cilësuar si të lidhur me partinë më të madhe opozitare.
Ndërkohë, për vëllain e saj ka thënë se është një njeri i arritur, i cili është shumë i lidhur me Kosovën.
“Ka filluar prej një mediumi që në pyetjen që më është bërë, atë natë që kemi qenë në Tiranë me familje, bashkë me motrat, me bashkëshortin dhe fëmijët e mi, dhe ende pa u ulur më ka bërë telefoni, dhe gazetarja e një mediumi e lidhur me partinë më të madhe, më ka pyetur diçka dhe unë veç e kam dëgjuar vëllain, dhe unë i kam thënë nuk po kuptoj, nuk e di çka po flet dhe ajo e ka marrë atë që unë po them se nuk po di që vëllai im është martuar. Vëllai im është shumë i lidhur me Kosovën, me familjen me prindërit me motrat e tij. Prej vitit 2002 është jashtë, ka studiuar ka magjistruar, punon në Universitet, është njeri i arritur, të gjitha i ka arritur vetë pa ndihmën e askujt, në fakt nuk ka pasur as bursë nga universiteti. Kemi pasur kontakte të vazhdueshme, ka ardhur dy deri-tri herë në vit në Kosovë. Mbesim të lidhur e të ofruar”, është shprehur ajo.
Kusari-Lila ka thënë se familja e saj është lënduar nga raportimet për këtë rast.
“Ne si familje na kanë lënduar në kuptimin se na kanë shkaktuar krizë. Diskriminimi që i bëhet gruas në politikë është brutal. Mua më ka forcuar. Nuk kam mundur ta shoh pozicionin e prindërve të mi karshi atij brutaliteti, jam munduar që ata sa më pak të jenë të ekspozuar ndaj komenteve në rrjetet sociale dhe faktit që ne nuk mund të marrim të drejtën të gjykojmë”, ka thënë Kusari-Lila.