Kusari-Lila thotë se rënia e çmimit të naftës në bursat botërore nuk reflektohet menjëherë në Kosovë

Kusari-Lila thotë se rënia e çmimit të naftës në bursat botërore nuk reflektohet menjëherë në Kosovë

Rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare nuk pritet të reflektohet menjëherë në tregun e Kosovës.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, tha se kjo ndodh për shkak të mënyrës së furnizimit dhe formulës së përllogaritjes së çmimit në vend.

Ajo shpjegoi se çmimi i derivateve në Kosovë përcaktohet sipas mesatares së çmimit të dhjetë milionë litrave të importuara, të cilit i shtohet marzha e fitimit e përcaktuar me rregullore.

Çmimi i naftës në Kosovë përcaktohet sipas rregullores që kemi në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Ai bazohet në çmimin mesatar të dhjetë milionë litrave të importuara dhe më pas i shtohet marzha e fitimit për operatorët. Krahasimi i çmimit në bursat ndërkombëtare me atë në Kosovë nga njëra ditë në tjetrën nuk është i drejtë, sepse porositë dhe dërgesat bëhen disa ditë më herët. Derivatet që vijnë kryesisht përmes portit të Durrësit janë blerë dhe negociuar paraprakisht, ndaj edhe u duhet kohë derisa të arrijnë në tregun tonë.”

Kusari tha se ministria ka ndërmarrë masat e vetme që i lejon baza ligjore për të parandaluar abuzimin me çmimet, teksa shtoi se operatorët ekonomikë vazhdojnë të kërkojnë heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit.

“Kemi kërkesa të vazhdueshme nga operatorët ekonomikë që të hiqet kufizimi i marzhës së fitimit, në mënyrë që të kenë fitime më të mëdha. Ne jemi duke i analizuar këto kërkesa. Ndërkohë, importi i naftës dhe derivateve është rritur dukshëm, pothuajse është dyfishuar në baza ditore sipas të dhënave që marrim nga Dogana e Kosovës. Qëllimi ynë është të gjejmë një balancë: të mbrojmë qytetarët nga çdo abuzim i mundshëm me çmimet, por njëkohësisht të mos rrezikojmë funksionimin e operatorëve ekonomikë.”

Çmimi i naftës në tregjet botërore, përfshirë edhe Kosovën është i lidhur ngushtë me lirinë e qarkullimit në Gjirin e Hormuzit, nëpër të cilin kalojnë rreth 20 për qind e rezervave të naftës në nivel global.

Telashet me këtë pjesë deti që ndodhet mes Omanit dhe Iranit, kanë nisur prejse Republika Islamike u sulmua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, më 28 shkurt 2026.

Related Articles