Juristja për lirinë e medias, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime serioze për një rast të supozuar cenzure brenda Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke e quajtur situatën një “nivel i ri i censurës”, që sipas saj, përngjan me praktikat autoritare të ndjekura nga qeveritë e ngjashme me atë të kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
“Ju njoftoj me një zhvillim tejet shqetësues: cenzurë alla Orbaneske në RTK,” ka shkruar Kusari në një postim në Facebook.
Sipas saj, disa redaktore të RTK-së, të cilat publikisht kanë kërkuar pagat e tyre dhe kanë ngritur zërin për mospagesat, janë njoftuar të premten pasdite përmes emailit se nga shtatori nuk do të jenë më prezente në edicionet e lajmeve të orës 17:00 dhe 23:00.
“Sot, bashkë me paga, redaktoret të cilat e kanë ngritur zërin publikisht dhe i kanë kërku pagat, në mënyrë flagrante dhe arbitrare, pa asnjë vlerësim, pa i konsultuar, përmes një urdhëri të shpërndarë në orën 16.00 në email, është urdhëru largimi i tyre nga prezantimet e lajmeve nga shtatori,” shkruan ajo.
Kusari thekson se një tjetër arsye e këtij vendimi është që “këta moderatorë e kanë sfidu pushtetin në intervista duke iu bë pyetje me interes të përgjithshme e jo duke i përkëdhelë”.
Ajo e cilëson këtë si “cenzurë me motive të pastra politike” dhe paralajmëron se do ta monitorojë situatën nga afër.