Kusari thotë se nuk pajtohet me komentet homofobike të disa prej deputetëve të VV-së

Kusari thotë se nuk pajtohet me komentet homofobike të disa prej deputetëve të VV-së

Ushtruesja e detyrës së shefës së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë në emisionin DPT te Fidani në T7 se VV tregoi “moment dobësie” kur lejoi debatin mes deputetëve të tyre në Kuvend lidhur me Kodin e ri Civil.

Ajo thotë se ka qenë në kontakt me të gjithë anëtarët atë ditë, por shtoi se kishin organizim të dobët të brendshëm. Po ashtu, ajo shtoi se nuk pajtohet me komentet homofobike të disa prej kolegëve të saj.

“Mund të them që e kemi pasur një moment të dobësisë për brenda, në mënyrën se si e kemi menaxhuar. Si shef i GP dhe në kontakt me kryeministrin për rrethanat të asaj dite, nuk jam e kënaqur as me punën time. Kemi pasur mundësi ta bëjmë më mirë. Edhe në prezantimin e atyre që nuk kanë dashur ta votojnë Kodin. Nuk kemi pasur një evidencë të saktë të asaj se kush do të votojë. Ka mundur edhe të kalojë po të vinin disa deputetë që munguan për udhëtime jashtë vendit. Natyrisht se nuk pajtohem me komentet e disa prej kolegëve të mi që kanë treguar prezencë të lartë të homofobisë, apo të asaj që mund të quhet brengosëse në raport me gjuhën që është përdorur. I kuptoj ata që deklarohen kundër. Por kundërshtia nuk duhet të kuptohet si dhënie e të drejtës së ndalimit të të drejtës së tjetrit, e cila garantohet nga Kushtetuta”, tha ajo.

Ajo tutje shton se në VV ka ndarje vetëm për këtë temë dhe kritikon opozitën se si është sjellë atë ditë në Kuvend.

“Nuk shoh krahasime të tilla, pasi vetëm në këtë temë kemi pasur kundërshtime. Na ka sjellë në një situatë tjetër ku duhet të shohim qasjen ndaj të drejtave të njeriut e sfidave të integrimit europian. Nuk shoh mundësi të përsëritet. Ka qenë vetëm për atë temë. Shoh që edhe opozita nuk ishte e qartë. Fillimisht dëshiroi 61 deputetë. Pastaj kryeministrin. Kur u bënë të dyja, përsëri lëshuan sallën”, shtoi ajo.

Related Articles