Kusari: Vuçiqi është mbështetur për muri, po ballafaqohet me Kurtin

Kusari: Vuçiqi është mbështetur për muri, po ballafaqohet me Kurtin

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është mbështetur për muri dhe ka treguar paaftësi totale, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës ditë më parë.

Për këtë, Kusari-Lila i ka dhënë merita kryeministrit Albin Kurti. Sipas saj, Vuçiqi nuk mund të bëjë më pazare.

“Është skenar i ri ky që është krijuar. Është një paaftësi totale dhe mbështetje për muri e Vuçiqit karshi Kosovës. Ai tashmë po ballafaqohet me kryeministrin Kurti, me të cilin e sheh se nuk mund të bëjë pazare dhe të hyjë në negociata, nga të cilat dalin gjëra që ne nuk i dimë”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së të martën. 

Ajo mendon se kriza në veri është shkaktuar nga Vuçiqi për t’i ikur përgjegjësisë nga marrëveshja finale, pas daljes në skenë të propozimit franko-gjerman. “Njëjtë është vepruar nga serbët edhe në Rambuje e Vjenë”.

Kusari-Lila ka thënë se serbët që kanë punuar në institucionet e Kosovës, veçanërisht policët, nuk e kanë kryer punën siç duhet. Kjo ka penguar, sipas saj, Qeverinë e Kosovës që t’i integrojë më shumë serbët e veriut.

“Kur janë forcuar përpjekjet e Qeverisë për t’i integruar serbët në veri, siç është konvertimi i targave, në veri kanë filluar sulmet ndaj individëve serbë nga forcat ilegale serbe për të shpërndarë frikë. Këta policë që janë dorëhequr do duhej të ishin në mbrojtjen e këtyre qytetarëve. Ata nuk i kanë ndjekur këto krime. Serbët në veri janë perskutu sistematikisht nga bandat kriminale atje”, ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Shefja e GP-së së VV-së ka pasur kritika edhe për marrëveshjet që janë nënshkruar me herët me Serbinë. Ka thënë se marrëveshjet me një etnicitet nuk mund të funksionojnë.

Ajo gjithashtu, sikurse vartësit e saj, nuk e shohin krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si zgjidhje të konfliktit mes Kosovës e Serbisë.

Kusari-Lila thekson se tash duhet një vëmendje e shtuar në veri të vendit, pasi “është krijuar vërtetë një situatë e re riorganizimin e institucioneve të pavarura”. Ka shtuar se partneriteti me aleatët ndërkombëtarë mbetet kyç në këto momente.

Related Articles