Ndërsa Kosova u afrohet zgjedhjeve të saj parlamentare më 9 shkurt, vendi përballet me disa sfida kritike që mund ta formësojnë të ardhmen e tij.
Nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.
Shumë prej marrëveshjeve të arritura mbeten pa u zbatuar dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën për angazhim jo të duhur.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në shtator të vitit 2023. Pak ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova ka fajësuar Serbinë.
Për vazhdimin e dialogut, Kurti në disa raste ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë Millan Radoiçiqn, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, si dhe nga Vuçiqi që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë.
Mimoza Ahmetaj, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës thotë se kjo parti planifikon t’i qaset dialogut me synimin “për arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.
“…në mënyrë që Kosova të vazhdojë më tutje në procesin e konsolidimit të shtetit”, sipas saj.
Në një paraqitje në TV21 të Kosovës, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se në dialogun e mëtejshëm me Serbinë, duhet të rishikohet Marrëveshja Bazë, e cila është “oferta më e varfër” që ka marrë Kosova.
“Kjo nënkupton që disa pjesë, duhet të rishikohen dhe të ndryshohen”, ka thënë Hamza.
Ndërsa, nënkryetari Lutfi Haziri thotë se për LDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, njohja “de jure” e Kosovës nga Serbia do të jetë qëllimi kryesor i dialogut me këtë vend, në të ardhmen.
“Do të krijojmë ambient që Kosova në tavolinë, në raport të drejtpërdrejtë me Bashkimin Evropian, me rol të forcuar të SHBA-së si lehtësuese, si dhe në koordinim jashtëzakonisht të mirë edhe me NATO-n si partner i madh, t’i mbyllë çështjet që kanë të bëjnë me procesin e dialogut”, thotë Haziri.
Derisa, Lulzim Blaka, zyrtar për informimin në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka degraduar.
Nëse Haradinaj merr pushtetin, sipas tij, ai do të synojë që këtë proces ta përmbyllë me njohje të ndërsjellë.
“Dialogu duhet të rikthehet siç ka qenë, të dialogojmë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe obligative për të dyja palët, me njohje reciproke. Kjo ka qenë ajo që zoti Haradinaj e ka potencuar gjithmonë dhe kështu mendojmë të vazhdojmë edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, thotë Blaka.