Kjo është Matilda Hidri, 35-vjeçarja shqiptare e cila u shua tragjikisht në një aksident të rëndë që ndodhi në Genoa të Italisë, ku makina e saj u përplas “kokë më kokë” me një tjetër mjet.
Siç raportojnë mediat, Hidri ishte e martuar dhe nënë e një djali 10-vjeçar. Ata kishin një biznes në “zemër” të qytetit të Genoa-s. Një piceri që e kishin hapur në Maj të këtij viti. Por ai aksident të dielën në mëngjes, do t’i këpuste ëndrrat në mes të resë shqiptare.
Sipas mediave italiane, në aksident u përfshinë një “BMW” që drejtohej nga 35-vjeçarja dhe një fuoristradë tip “Volvo” që drejtohej nga 46-vjeçari italian Giuseppe Garavaglia. Sipas rindërtimit të skenës nga autoritetet italiane, raportohet se shkak i aksidentit ka qenë 46-vjeçari, i cili për 5 kilometra kishte udhëtuar kundravajtje në korsinë e gabuar të autostradës.
Deri më tani nuk dihen arsyet e kësaj tragjedie të vërtetë se pse italiani ka lëvizur në korsinë e gabuar. Për të ndihmuar në zbulimin e dinamikës së aksidentit, autoritetet po monitorojnë kamerat e sigurisë në zonë. Ndërkohë pritet që trupi i Matildës t’i nënshtrohet një autopsie.
Nga përplasja e fortë mes dy mjeteve që janë shkatërruar mbetën të vdekur në vend të dy drejtuesit e mjeteve, 35-vjeçarja Matilda Hidri dhe 46-vjeçari Giuseppe Garavaglia.
Tre persona të tjerë mbetën të plagosur nga ky aksident, një fëmijë 4 vjeç, një grua 34-vjeçare dhe një 35-vjeçar. Këta të tre udhëtonin me një makinë Volkswagen pas makinës së Matilda Hidrit dhe u përfshinë gjithashtu në aksident./tvklan.al