Kush është Nexhmi Rexhepi, pasuesi i Gresa Cakës në krye të Kushtetueses

Kush është Nexhmi Rexhepi, pasuesi i Gresa Cakës në krye të Kushtetueses

Nexhmi Rexhepi është zgjedhur kryetar i ri i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Rexhepi u zgjodh në seancën administrative të mbajtur më 10 dhjetor.

Mandati i tij do të nisë më 31 dhjetor 2024, pasi që kryetares aktuale Gresa Caka-Nimani i përfundon mandati nëntëvjeçar.

Në biografinë e tij potencohet se, Rexhepi ka qenë pjesë e brezit të juristëve të cilët kanë qenë pjesë aktive e ndërtimit të sistemit juridik të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari Rexhepi ishte  anëtar i Ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai po ashtu është themelues i misionit të parë diplomatik të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, si dhe ambasadori i parë në këtë vend.

Ai është emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese më 9 gusht 2018.

Para kësaj, karrierën profesionale e filloi në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kurse më pastaj vijoi si mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Departamenti i Shkencave Penale. Gjithashtu, ai ishte udhëheqës për çështje ligjore në Ministrinë për Energji dhe Miniera, si dhe këshilltar ligjor në Zyrën Civile Ndërkombëtare (International Civilian Office). Në funksionin e juristit kryesor në Ministrinë për Energji dhe Miniera, gjyqtari Rexhepi ishte bartës kryesor i procesit për hartimin e legjislacionit të këtyre dy sektorëve, ndërsa si pjesë e Zyrës Civile Ndërkombëtare ishte pjesë aktive e grupeve punuese në hartimin e pakos së ligjeve të shtetësisë.

Po ashtu, ai shërbeu edhe si ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Sllovenisë.

Gjyqtari Rexhepi mori pjesë në shumë konferenca shkencore e profesionale në vende të ndryshme. Ishte bashkëpunëtor profesional në disa projekte nga fusha e së drejtës, është autor i disa publikimeve dhe i përkthimeve, si dhe mbajti ligjërata publike në disa universitete e institute, përfshirë Universitetin Johns Hopkins, Universitetin e Utrehtit, Universitetin Radboud në Nijmegen, Universitetin e Hagës për Shkencat Aplikative, Klubin elitar The Nieuwe of Littéraire Sociëteit De Witte në Hagë, Universitetin e Lubjanës, Qendra për Perspektivë Evropiane në Lubjanë, si dhe për pjesëmarrësit e Akademisë së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare.

Në pozitën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ai pason Gresa Caka-Nimanin.

Related Articles