Dy persona janë kapur në flagrancë duke mbuluar me rërë një thes që dyshohet të jetë mbushur me dinamit, mbrëmë te Liqeni i Badovcit. Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë arrestuar personat e dyshuar dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që përfunduan në Polici janë Kujtim Kicaj, i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe Remzi Gashi, ndaj të cilit po ashtu është iniciuar rasti.
Sipas informacioneve të para dhe pamjeve të publikuara nga Federata e Peshkatarëve të Kosovës, të cilët janë të licencuar për kontrollimin e rasteve të peshkimit të paligjshëm, të dyshuarit janë ndaluar derisa po patrullonin në atë pjesë.
Në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme nga të gjitha njësitë përkatëse.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“Dy meshkuj kosovarë kanë raportuar se kanë hasur dy persona të panjohur duke mbuluar me rërë një thes që dyshohet të jetë mbushur me dinamit. Njëri prej të dyshuarve është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar njësiti për deminim për të dal në vendin e ngjarjes.”