Veprimtari dhe intelektuali i njohur, Xhafer Murtezaj, rrëfeu si rrallë herë në detaje ditët e vështira pas masakrës në Prekaz mbi familjen heroike Jashari.
Murtezaj tha se pas vrasjes, fillimisht 53 anëtarët e Jasharëve u dërguan në morg e pastaj iu dorëzuan banorëve për t’i varrosur, teksa rrëfeu në vazhdim të gjitha vështirësitë që i patën për të kryer varrimin e tyre duke filluar deri te frika e banorëve e deri te mungesa e mediave.
“Të enjten ka fillu lufta, ka zgjat të premten deri të shtunën. Të dielën i kanë marr trupat, i kanë çu në morg, i kanë kthy diku kah ora 1 ose 2 e natës. Kanë thanë më i marr me i çu me i varros të hënën. I kanë marr i kanë çu me një depo. Asnjë njeri nuk ka pas mundësi atë ditë me dalë, se s’kanë guxu. Tre vetë i kanë ru kufomat atë ditë”, u shpreh Murtezaj.
“E kanë gjetë nënën Salë, e ka pas një goditje nga një predhë, si duket kur ka ra granata e ka rrëzu murin dhe e ka godit, e kishte pas mbulu muri. Po flas për datën 10. E kemi çu, e kemi shti nër shtëpi të Jasharajve. Kemi fillu me i çelë varret. Atë ditë asnjë media se kanë leju me hy. Atë ditë e kemi gjetë edhe familjen e Xhafer Jasharit, vetë i 11-ti, prej të enjtes deri më datën 10 që kishin pas ndejt me njëfarë bodrumi. I kemi nxjerr, i kemi mbulu me batanije, sepse policia ka qenë me autbolinda, frikësoheshim se po na i marrin”, shtoi ai në Klan Kosova.
Murtezaj vazhdoi të tregonte në detaje ditën e varrimit të Jasharëve, teksa tha se nga Komuna e Gjakovës i erdhën 56 arkivole, por “në të vërtetë, ne i kemi çelë veç 53 varre se në bazë të shënimeve kush ka munguar janë kanë 56, por veç 53 kufoma janë kanë”.
Kush ishin njerëzit të cilët ruajtën kufomat e Jasharëve, si u mundësua varrimi i tyre, cili hoxhë ndihmoi, cilat media ndërkombëtare përcollën ngjarjen, pse nuk u bë varrimi menjëherë, çfarë iu tha banorëve komandanti serb i policisë në Skenderaj, pse u raportua se janë varrosur kur në fakt nuk ishin varrosur ende, këto dhe shumë detaje tjera në këtë rrëfim ekskluziv mund t’i dëgjoni në videon në vijim: