Gjykata Kushtetuese ka vendosur se Plotësimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe i ka dhënë dritën e gjelbër për dekretim nga presidentja e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastin KO153/24, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO156/24, me parashtrues: Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 2, 5, 6, 7, 13, dhe 16 të Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Gjykata ka vendosur, (i) njëzëri, të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë, me gjashtë vota për dhe një kundër, se nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për
Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii).
Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Pas këtij vendimi ka reaguar ministrja e Drejtësisë në dorëheqje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese sot i ka dhënë dritën e gjelbër reformës së madhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Haxhiu, përmes një postimi në Faqcebook, ka thënë se “angazhimi dhe përpjekja jonë për një reformë rrënjësore në sistemin prokurorial, më në fund po merr drejtimin e merituar”.
“Pas një përpjekjeje e rruge tejet të gjatë, të ballafaquar me jo pak sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa, sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar dhe ka validuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se “kjo është një fitore e madhe, një fitore për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë.
“Rrjedhimisht KPK nuk do të funksionojë tutje bazuar në interesat grupore, politike e klanore, dhe nuk do ta ketë përbërjen korporatiste dhe të pabalancuar e të dominuar pothuajse 100% me prokurorë, e të cilat, vetëm dëme të pa-riparusheme i sollën vet sistemit”.
Sipas Haxhiut, tutje KPK do të funksionojë e ri-organizuar, me përbërje sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe profesionale, por gjithashtu, me kriteret profesionale të përbërjes e llogaridhënies.
“Ndryshimet e tilla, përveçse do ta eliminojnë këtë lloj të funksionimit, te keqmenaxhimit e korporatizmit në KPK, ato gjithashtu sistemit do t’i sjellin profesionalizëm e integritet, transparencë dhe llogaridhënie, me synimin e rritjes së efikasitetit profesional, rritjes së integritetit dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.