Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu në një deklaratë për media ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur masë të përkohshme ndaj Kuvendit të Kosovës me një afat prej 30 ditësh, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Musliu tha se Kushtetuesja është treguar shumë tolerante ndaj “veprimeve adoleshente të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
“I quaj adoleshente, sepse kjo është pikërisht një adoleshencë politike, se më nuk mund t’i them papjekuri politike, ose s’mund të them se janë probleme teknike. Çështja e Kuvendit s’ka të bëjë më as me logjistikë, as me teknikë, as me çështje administrative, është puro politike. Dhe kur e them këtë, mbi bazën e këtyre gjërave që i njoh, i di, i shoh, dhe i preku çdo ditë në Kuvend, unë mendoj se Gjykata Kushtetuese është treguar shumë tolerante, sepse është dashtë me qenë më e ashpër, më konkrete dhe më detyruese për Kuvendin”, tha Musliu në “DPT te Fidani”.
Tutje deputetja ka shtuar se “në këto raste mendoj se duhet të iu jepet një mësim i mirë atyre që nuk duan të marrin vesh, ose që të kuptojnë, dhe t’i lexojnë vendimet”.
Sipas saj ai që nuk kupton dhe nuk lexon drejt vendimet e Kushtetueses, është kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Albin Kurtit s’i bie asgjë tamam, dhe për të askush nuk kupton dhe askush nuk dinë, dhe askush nuk lexon drejtë”, tha tutje ajo. /Gazeta Enigma/