Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, ka mbajtur seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku pos përfaqësuesve institucionalë, morën pjesë edhe përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e familjarë të dëshmorëve.
Kryesuesja Latifi-Kqiku tha se sot jetojmë me dinjitet në shtetin e lirë për të cilin kontribuan dhe sakrifikuan breza të tërë me dekada e shekuj.
“Për këtë ditë u dha shumë mund, shumë sacrifice e u derdh shumë gjak, që Kosova të bëhej e lirë dhe e barabartë me shtetet tjera të botës”, ka thënë ajo.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se 17 shkurti është dita kur u realizua ëndrra shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran.
“Kjo ditë mishëron sakrificën, guximin dhe idealin e brezave për liri. 17 shkurti është dita kur u realizua ëndrra shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran. Është dita ku përulemi me respekt para dëshmorëve të kombit, para familjeve që dhanë më të shtrenjten për lirinë tonë, para të gjithë atyre që kontribuan në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt pavarësisë”, ka theksuar përveç tjerash, kryetari Hyseni.
Ndërkaq, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se 17 shkurti është një përpjekje shekullore e popullit të Kosovës, ku gjenerata të tëra sakrifikuan për të ardhur deri te akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Lufta jonë çlirimtare i ka vu kurorën lirisë, në saje të angazhimit të njerëzve të devotshëm e patriotëve të vërtetë e luftëtarëve”, ka thënë Isufi.
Në këtë seancë solemne, kanë adresuar mesazhet e tyre edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës, përkatësisht Muhadin Haziri (LDK), Riad Rashiti (PDK) dhe Nazim Gagica (AAK).
