Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për zyrtarët publikë. Në seancën e sotme, të zgjedhurit e popullit zgjodhën edhe Batisha Ibrahimi anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP).
Krahas kësaj, deputetët e mazhorancës miratuan rezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022.
Ndërkaq, dështuan të miratojnë Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, pasi s’pati kuorum në vendimmarrje për shkak se disa deputetë të LVV-së nuk morën pjesë fare në votim.
Kuvendi në seancën e sotme dështoi të miratojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, pasi deputetët opozitarë lëshuan sallën plenare.
Pas përfundimit të këtyre pikave, kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci mbylli punimet e seancës së sotme plenare. /kp/