Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar një aksion kundër drogës në lagjen Tusuz të Prizrenit me qëllim parandalimin dhe luftimin e trafikimit me narkotik dhe veprave tjera kriminale. Nga ky aksion është arrestuar një 24 vjeçar. cili pas intervistimit me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Liridon Krasniqin i cili pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në lidhje me aksionin, Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë bastisjes në dy lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe janë sekuestruar provat materiale si: një kavanoz qelqi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë: 10 gramë, dy rollne, dy mulli për bluarje, një pako me rizlla, një pushkë ajrore, një kuti metali me fishekë, një kavanoz qelqi me 27 qese të ndara, të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë totale 18.36 gramë, një peshore digjitale, një palë gërshërë dhe foli najloni; një DVR, një motoçikletë dhe një telefon mobil.
Gjatë ditës, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, kishte konfirmuar për Sinjalin operacionin policor për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me narkotik dhe veprave tjera kriminale.
“Mund të konfirmojmë se Departamenti i Hetimeve përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik është duke e realizuar një operacion policor, në disa lokacione të rajonit të Prizrenit. Operacioni policor ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e trafikimit me narkotik dhe veprave tjera kriminale”, tha Kelani.