Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të tillë që ka ndodhur të martën në mbrëmje në rrugën ‘Hamëz Jashari’ në Prishtinë.
Një 35-vjeçar, nën ndikim të narkotikëve po dyshohet se ka sulmuar një zyrtar policor dhe për pasojë përfundoi në pranga.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Shkelzen Nokaj, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para, Policia fillimisht e ka ndalur veturën e të dyshuarit dhe gjatë kontrollit është vërejtur se shoferi është nën ndikim të substancave narkotike.
I njëjti është urdhëruar që të dalë nga vetura për kontrolle të mëtejshme, por i revoltuar i riu po dyshohet se ka sulmuar fizikisht policin, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Njësia policore ka arritur ta vë në kontroll të dyshuarin, i cili më pas është arrestuar, teksa në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.