Mbrëmë pas mesnate në fshatin Gotovushë të Shtërpcës, Policia ka arrestuar një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për qytetarin e nacionalitetit serb, Milorad Repinoviq, i cili ishte në gjendje të dehur në momentin që u arrestua.
Repinoviq është shoqëruar në stacion policor, ndërkohë që të njëjtit i është sekuestruar një armë zjarri automatike dhe një sasi e municionit.
50-vjeçari dyshohet se pas një konflikti pronësor, ka shtënë me armë zjarri në shtëpinë e viktimës, por që për fatin e mirë nuk ka pasur pasoja në njerëz – vetëm dëme materiale.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshm’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.