Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Festat e tilla s’po kanë të ndalur, e shumë prej atyre që po festojnë në këtë formë po përfundojnë në pranga.
Kështu ka ndodhur së fundmi në rrugën “Fadil Morina” në Prizren, ku në një aheng familjar kishte të shtëna me armë zjarri.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar dhe të njëjtit i është sekuestruar arma ilegale.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i prangosur është Sefer Brando, rreth 39-vjeçar.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ndaj tij dhe brenda afatit ligjor do të dorëzohet kallëzimi penal.