Mbrëmjen e së shtunës janë dëgjuar të shtëna me armë zjërri në oborrin e një kompanie në fshatin Cigë të Pejës. I dyshuari që shkrepi armën ra në prangat e Policisë, teksa tashmë kanë nisur hetimet.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari që po dyshohet se gjuajti për motive akoma të panjohura, te kompania “Mabeko” është Dardan Mehmetaj, 18-vjeçar.
Mehmetaj u kap në flagrancë nga një zyrtar policor që ndodhej rastësisht në atë pjesë – i cili më pas kërkoi asistencë nga kolegët e tij.
Posa njësia policore ka arritur në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Me rastin e kontrollit, është sekuestruar edhe arma që i dyshuari e ka përdorur, si dhe disa fisheke.
I riu është intervistuar lidhur me rastin dhe pas përfundimit të procedurave, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje per 48 orë.
Rastin e ka konformuar edhe Policia Rajonale në Pejë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.