Një person, i cili është prezantuar si hetues i Policisë së Kosovës, i ka shkuar viktimës në lokal, ku ia ka lënë një ‘selam’ për një zyrtar policor dhe ka kërkuar informacione për të.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ahmet Balajn, i cili është futur në listën e personave të kërkuar, nën dyshimet për veprën penale ‘Prezantim i rremë’.
Balaj po dyshohet se është prezantuar si hetues i Policisë së Kosovës, me qëllimin për t’i dërguar ‘selam’ një zyrtari policor, përmes pronarit të një lokali në Skenderaj. Ky i fundit e ka raportuar të dyshuarin në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur.
Sipas dëshmisë së viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari Balaj ka kërkuar informacione për zyrtarin policor të cilin po e shqetëson që një kohë. Për të mos mbaruar me kaq, ai edhe ka kushtëzuar, ku ndër të tjera ka thënë se nëse zyrtari policor ia ofron 2 mijë euro, atëherë do ta lë rehat.
Përballë kësaj situate, viktima ka njoftuar Policinë dhe ka shpjeguar në detaje gjithë rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për kapjen e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij.