Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarët, qoftë gjatë detyrës ose edhe kur janë në rroba civile. E shpeshherë situata eskalon edhe në sulme fizike ndaj tyre.
Një sulm i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë teksa njësitë policore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kanë tentuar që të ndalin një veturë me targa vendore, shoferi i së cilës nuk i është bindur urdhrave të Policisë duke ikur nga vendi i ngjarjes.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se i dyshuari për sulm ndaj zyrtarit policor është 22-vjeçari, Bleard Xhemaili.
I njëjti pasi është kapur nga Policia, është dërguar në stacionin policor ku në revoltë e sipër ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policorë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se polici ka pësuar lëndime trupore si pasojë e sulmit dhe është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në spital.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.