Prokuroria Speciale e Kosovës pas një pune hetimore disamujore nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, sot ka arrestuar një person të dyshuar për krime lufte.
Burime të sigurta të “RADIO 1″, bëjnë të ditur se i arrestuari është 61-vjeçari Milorad Djokoviq, nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës.
Tutje duke iu referuar burimeve ai aktualisht po merret në pyetje në stacionin policor të Pejës. Po ashtu atij i është caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare dhe i është konfiskuar telefoni.
Pas arrestimit, efektivët special policorë po bastisin ambientet e Autoritetit të Përkohshëm për Pejën. I njëjti është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë (9) civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë (5) persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë, njofton Telegrafi..
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor.
Gjokoviq i kthyer në fshatin Vitomiricë tani e 15 vite ka qenë pjesëmarrës i shpeshtë në shumicën e ngjarjeve të organizuara nga shoqëria civile në rajonin e Pejës.