Mbrëmë në rrugën “Hamëz Jashari” në Prishtinë ka ndodhur një incident pasi një zyrtar policor ishte duke intervenuar në një rast ku i dyshuari ishte përfshirë dhe papritmas u përballë me sulm.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Fisnik Zogiani, 29-vjeçar, i cili ka përfunduar në ndalim policor.
Zogiani po dyshohet se e ka goditur me kokë zyrtarin policor, duke i shkaktuar lëndime të rënda (frakturë në hundë).
Sinjali mëson se i njëjti më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa polici i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë për veprën penale “Pengim i personit zyrtar”.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.