Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka përmendur “planin B” për numërimin e votave për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. “Plani B” i KQZ-së është që të kthehet në mënyrën e vjetër të numërimit.
“Plani B”, sipas Radoniqit, do të nënkuptonte që evidentimi i rezultateve të bëhet sikur në të kaluarën në formularë të rezultateve për subjekte politike dhe formularë të rezultateve të kandidatëve, dhe jo siç ka filluar tani të bëhet duke u krijuar formularët digjitalë.
Por kryetari i KQZ-së është shprehur optimist se nuk do të ketë nevojë të kalohet në “planin B”.
Do të shikohet sot dhe nesër se si do të procedohet me numërimin e votave nëpër qendra komunale të numërimit dhe më pas KQZ-ja mund të vendosë nëse ka nevojë për “plan B”.
KQZ-ja ka pasur vazhdimisht telashe me sistemin ku shihen rezultatet preliminare, që nga e diela kur përfundoi procesi i votimit. Kryetari i KQZ-së, Radoniqi, në takim me presidenten Vjosa Osmani të enjten, ka thënë se po presin raportin e institucioneve të sigurisë për të kuptuar se çka ka ndodhur me sistemin.