Një zyrtar policor në Leposaviq është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, pasi i njëjti dyshohet se është i përfshirë në skandalin me drogë brenda objektit të Komunës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për policin Pavle Radoviq.
Suspendimi i Radoviq erdhi pas publikimit të pamjeve ku shihen zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.
“Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor.
IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.
Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.”, thuhet në njoftim.
IPK ka bërë të ditur se në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.