Ky është rrugëtimi i Super Agjentit të Futbollit Mino Raiola

Ky është rrugëtimi i Super Agjentit të Futbollit Mino Raiola

Jo shumë larg qytetit që e adhuron futbollin, Napoli, në Italinë jugore në vitin 1967 lindi ai që shumë shpejt do të ishte një “përbindësh” në botën e sportit, Mino Raiola.

Një vit pas lindjes ai do të transferohej në Holand, së bashku me dy prindërit. Babai i tij vendosi të hapte një restorant në qytetin Haarlem.

Me kalimin e viteve, Mino do të ishte një nga personat kyç të lulëzimit të biznesit të babait të tij. Aty do të fillonte dhe “oreksi” i tij për biznes.

Pasi përfundoi shkollën e mesme, Raiola shkoi në universitet ku ndoqi studimet për drejtësi.

Rrugëtimi në futboll do të ishte shumë i hershëm për të. Ai dështoi të tregonte se ishte një futbollist i madh në fushë me skuadrën vendase HFC Haarlem-in. Ndonëse do të merrte më pas rol drejtues në skuadër.

Edhe pse ishte ende adoleshent, Raiola u bë drejtor sportiv në klub. Aty do të ishte dhe pikënisja e njeriut që akualisht është një nga agjentët më të fortë në botën e futbollit.

Pozicioni në klubin e Haarlem-it e ndihmone Raiola-n të vëzhgonte lojtarë dhe më pas nëpërmjet një kompanie të quajtur “Sports Promotions”, transferonte futbollistët holandez drejt klubeve italiane.

Kishte disa transferime të vogla në fillimet e tij, ndërsa “bomba” e parë ishte kalimi i Dennis Bergkamp-it nga Ajax-i te Inter-i. Pas këtij transferimi do të rriteshin edhe pretendimet e Raiola-s në këtë fushë. Ai u shkëput për të punuar i vetëm.

Por, ku kishte më mirë se sa ta niste punën i vetëm me një transferim si ai i Pavel Nedved-it nga Sparta Praga te Lazio. Asokohe, Nedved-i kishte drejtuar Republikën Çeke drejt finales së Euro 1996.

Dhe kështu filloi. Raiola që atëherë ka krijuar një reputacion të madh në industrinë e futbollit, me mbi 50 lojtarë nën menaxhimin e tij. Bergkamp dhe Nedved janë zëvendësuar nga Erling Haaland dhe Paul Pogba.

Komisionet që ka përfituar Raiola në rastin e transferimit të Pogba-s nga Juventus-i te Manchester United, thuhet se kanë kaluar shifrën e 20 milionë eurove.

E folura në shtatë gjuhë të ndryshme e ka ndihmuar shumë Raiola-n, që ndryshe njihet si “Super Agjenti”. Ai është njohës i mirë dhe flet rrjedhshëm: italisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, portugalisht dhe holandisht

Nuk është për t’u habitur që biznesmeni me famë botërore është kryefjalë në më shumë se një rast, pasi është përfshirë në disa seanca disiplinore të nxitura nga Federata Italiane e Futbollit, për parregullsi në transferime.

“Super Agjenti” gjithashtu thuhet se bleu shtëpinë e ish-bosit të mafias Al Capone në Miami.

Ai është pjesë e pesë agjentëve më të pasur të sportit në listën e “Forbes”, së bashku me Scott Borasi-n e bejsbollit, Jeff Schwartz-in e basketbollit dhe dy kolegët e tij në futboll, Jonathon Barnett-i dhe Jorge Mendes-i.

Më 22 janar 2020, Raiola ishte në mesin e një numri agjentësh të profilit të lartë të futbollit, duke përfshirë Mendes-in dhe Barnett-in, të cilët kërcënuan FIFA-n me sanksione ligjore pas kufirit të planifikuar për pagesat e transferimeve.

Reputacioni i tij është aq i madh, sa që janë të pakta klubet që dëshirojnë të shkëpusin marrëdhëniet me të.

Basti i radhës për Raiola-n duket se do të jetë Haaland-i. Norvegjezi kërkohet nga disa skuadra të mëdha në Evropë, por agjenti ka kërkuar super pagë, që shkon deri në 50 milionë euro në sezon. Ndërsa, komisionet këtë radhë pritet t’i kalojnë ato që ai përfitoi nga Pogba. /Gazeta Enigma/

Related Articles