Shëtitja me trotinet mbrëmjen e 24 prillit në Gjenevë, do ta shndërronte në hero Mexhid Rashitin. Gjilanasi që jeton në Zvicër e shpëtoi serben 60 vjeçare, Ivana, që kishte mbetur brenda shtëpisë që po i digjej.
“Direkt e kam thyer dritaren, kam hyrë brenda dhe e pashë atë gruan. E kam marrë, e kam sjellë te dritarja sepse nuk mund ta tërhiqja për ta larguar jashtë”, rrëfen Rashiti.
26 vjeçari tregon se arriti ta shmang më të keqen deri erdhën zjarrfikësit.
“E kam marrë një bombolë për ta fikur zjarrin, kam hy brenda e kam fikë zjarrin, në ato momente kanë ardhë zjarrfikësit”, tregon ai.
Për veprën e kosovarit shkruan edhe mediat zvicerane, duke thënë se e shpëtoi një serbe, ani pse kombet e të dyve kanë armiqësi mes vete.
“Sidoqoftë, unë kam hyrë me e shpëtu një shpirt, që themi ne, nuk më ka interesuar se çfarë origjine ka, a është zvicerane apo serbe”, shprehet gjilanasi.
Rashiti tregon se, pas këtij rasti, ka biseduar vetëm një herë shkurt me Ivanën, e cila e ka falënderuar shumë që ia ka shpëtuar jetën./Gazeta Enigma/