Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Mitrovicë ka arrestuar një zyrtar të komunës të dyshuar për marrje ryshfeti, lidhur me një rast të rregullimit të dokumentacionit për përfitimin e një granti që lidhet me riatdhesimin.
Arrestimi i të dyshuarit erdhi pas denoncimit të një qytetari që rezultoi me aksion policor dhe prangosjen e të zyrtarit komunal.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Bedri Sadiku, 63-vjeçar, që dyshohet se i mori 200 euro ryshfet.
Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, kanë zbarkuar sot në sheshin ,,Isa Boletini” në Mitrovicë, ku Sadiku u arrestua në flagrancë.
“Hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, policia ka pasur urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Renda. Lidhur me këtë është iniciuar rasti ‘marrja e ryshfetit’, është njoftuar prokurori i çështjes, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë.” – ka njoftuar Policia.