Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e pikëlluar për vdekjen e diplomatit dhe mikut të Kosovës, Frank Wisner, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Osmani ka deklaruar se karriera e tij e gjatë dhe e ndritur në shërbim të diplomacisë amerikane, përfshirë rolin e tij si emisar në bisedimet për statusin e Kosovës, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.
“Z. Wisner ishte një njeri i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, duke vepruar me mençuri e integritet në momentet vendimtare të diplomacisë ndërkombëtare. Kontributi i tij në çështjet globale, si dhe angazhimi i tij për Kosovën, do të kujtohen me mirënjohje dhe respekt të përjetshëm”, tha Osmani.
Ajo u shpreh se kishte fatin që për vite të punonte me të për së afërmi, ku edhe kujtoi telefonatën e fundit që e zhvilloi me Wisnerin, para disa muajsh.
“Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë. I përhershëm qoftë kujtimi për diplomatin dhe mikun e Kosovës, Frank G. Wisner!”, u shpreh Osmani.