La Repubblica me rrëfime nga serbët e veriut: “I gatshëm të luftoj”, “kam frikë se ma djegin shtëpinë”

La Repubblica me rrëfime nga serbët e veriut: “I gatshëm të luftoj”, “kam frikë se ma djegin shtëpinë”

Tensionet në veri kanë ngjallur interesimin e shtypit italian. Gazeta e madhe italiane, “La Repubblica”, ka bërë një reportazh nga veriu i Kosovës, ku ka intervistuar zyrtarët serbë që janë dorëhequr nga pozitat që mbanin deri para pak ditësh. “La Repubblica” ka marrë disa prononcime nga të dorëhequrit rreth zhvillimeve të fundit që po ngjajnë në atë pjesë territorit të Kosovës, që është kthyr përsëri në qendër të mediave ndërkombëtare.

Në hyrje të artikullit, duke cituar njërin prej policëve serbë të dorëhequr nga pozita zyrtare, ai ka një gjuhë me një ton kërcënues.

“Jam i gatshëm të luftoj nëse kryeministri Albin Kurti do ta dërgojë këtu njësinë speciale për të na detyruar që t’i vendosim targat kosovare.”, i tha ky polici tashmë i dorëhequr.

Gazetarët italianë kanë vizituar edhe komunën e Mitrovicës së Veriut, ku kanë gjetur një objekt të boshatisur, pasi ditë më parë dha dorëheqje kryetari i saj, Milan Radojevic.

Asociacioni…

“Nuk punojnë zyret. Janë dorëhequr zyrtarët serbë dhe ata boshnjakë”, u tha atyre një njeri që hyri nga pjesa anësore e komunës me disa dokumente në duar.

“Po, edhe unë…(duke iu referuar faktit që ka ofruar dorëheqje)”, nënvizoi ai.

Më pas, gazetarët italianë kanë takuar privatisht njërin prej policëve që dha dorëheqje në një nga kafiteritë në sheshin Milic të Mitrovicës së Veriut. Ai quhet Zoran dhe është 50-vjeçar.

Në artikullin e “La Repubblica” përshkruhet si i nervozuar polici serb gjersa u ul në tavolinë me gazetarët italianë për t’u prononcuar rreth asaj se çfarë është duke ndodhur së fundi.

Në fillim ai dukej i frikësuar dhe i penduar që kishte pranuar të intervistohej.

“Nuk do duhej të flas me një gazetar. Na e kanë ndaluar.”, tha ky polici serb i dorëhequr.

Gazetarët e pyetën “kush?”, por ai refuzoi të japë përgjigje: “Më mirë ta lëmë fare këtë pjesë…”

Në petkun e ish-policit, Zoran tregoi se përse mori vendimin për t’u tërhequr nga Policia e Kosovës.

“E dorëzova uniformën, së bashku me pistoletën dhe gjërat përcjellëse, sepse Kurti nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit. Ne jemi integruar në institucionet kosovare dhe e mallkoj Beogradin që na ka detyruar këtë gjë.”, vazhdoi tutje ish-polici serb.

E gjithë mëria e policit serb Zoran është me mosformimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kurti po na pamundëson që ta krijojmë Asosacacionin që formohet nga dhjetë Komuna me shumicë serbe, që është qenjësore për t’i mbrojtur rrënjët tona kulturore. Madje, edhe targat e definojnë identitetin tonë.”, shtoi ish-polici serb i Kosovës.

Ai pati ankesa edhe për mënyrën se si janë trajtuar nga Policia e Kosovës, duke e luajtur habitshëm rolin e viktimës.

“Jam në detyrën e policit prej njëzet (20) vitesh. A është normale që neve, serbëve, nuk na paguhet puna kur e bëjmë me orar shtesë dhe shqiptarëve po? A është normale që neve na vendosin gjithmonë që ta mbulojmë ndërrimin e natës? A është normale që çdo njëzet (20) minuta eprorët të më kontrollojnë për të ditur se ku jam? Jam i gatshëm ta mbroj familjen time dhe të drejtat e mia”, tha ai.

Dorëheqjet e zorit

Kjo nuk është pasqyra e plotë dhe e njëmendtë e të gjithë ngjarjeve që po ndodhin në veri të fundit. Shumë pjesëtarë të komunitetit serb dorëheqjet i kanë ofruar edhe si rrjedhojë e presioneve dhe kërcënimeve nga strukturat paralele serbe që operojnë matanë pjesës veriore të lumit Ibër.

Këtë gjë gazetës “La Repubblica” ia konfirmoi edhe Bojan, i cili punonte në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Po, edhe për këtë arsye kam ofruar dorëheqje nga inspektori i Ministrisë së Ambientit”, pranoi Bojan.

“Kam frikë që ma djegin shtëpinë ose që gruaja ime të largohet nga puna pa kurrfarë arsye”, saktësoi ai.

Gazeta italiane pranë lumit Ibër ka hasur edhe në deputetët e Listës Serbe: “Pranë lumit Ibër ku qëndrojnë policët italianë, ‘Carabinieri’, ecnin deputetët e dorëhequr.”

Me këmbëngulje gazetarët u përpoqën që të kuptonin nga deputetët serbë nëse Moska zyrtare qëndron mbrapa vendimeve të fundit që u përshkallëzuan me dorëheqjet nga institucionet kosovare.

“Deri ku dëshironi të arrini? A qëndron Moska mbrapa vendimeve të juaja? A është e vërtetë që disa rusë që janë të pranishëm këtu janë duke ju udhëhequr, ashtu siç deklaron ministri i Punëve të Brendshme?” – ishin pyetjet e tyre.

Megjithatë, deputetë serbë zgjodhën heshtjen dhe nuk e thanë qoftë edhe një fjalë të vetme.

Related Articles