Ndërmjetësi evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë “tash është koha për t’u ripërqendrura plotësisht në hapat e ardshëm të dialogut”.
Këtë koment Lajçaku e ka bërë pas javës dinamike që e ka pasur në Davos të Zvicrës.
Lajçak atje është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.
Në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, por sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë marrë hapa në atë drejtim.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur procesin e dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, qysh më 2011.
Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.