I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u takua me nënsekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Ai tha se janë pajtuar për rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm të situatës në veri.
Për këtë takim njoftoi Lajçak, duke theksuar nevojën që palët të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
“Kisha një bisedë shumë të mirë me Victoria Nuland. Kemi ndarë të njëjtin vlerësim për situatën në veri të Kosovës dhe për mënyrën e daljes. Ranë dakord për rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Lajcak.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.