Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Mircea Geoana, ka thënë se aktualisht s’ka konsensus brenda Aleancës Veri Atlantike për aspiratën e Republikës së Kosovës për anëtarësim. Kështu ka thënë ai në një intervistë për ‘tanjug’.
“Siç e dini, nuk ka konsensus për momentin për një lëvizje të tillë të mundshme nga NATO. Aktualisht jemi duke bashkëpunuar me Kosovën përmes një partneriteti që respekton situatën specifike”, ka thënë ai para samitit të ardhshëm të NATO-së që do të mbahet në Madrid nga 28 deri më 30 qershor.
Rumuni ka thënë se ky samit do të jetë një prej samiteve më transformuese dhe më domethënës në historinë e NATO-s.
Ai gjithashtu ka folur edhe për çështjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se NATO e mbështet dialogun mes dy vendeve.
“Inkurajojmë palët që të jenë konstruktive, dhe inkurajojmë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që është esencial për ndonjë rezultat eventual të kristalizuar në Ballkanin Perëndimor. Prandaj ne mbesim të interesuar, vigjilent dhe të përfshirë rreth zhvillimeve në rajon.”, ka thënë tutje ai.