Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të BE-së për caktimin e datës për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.
Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që tani t’i nënshkruajë marrëveshjet e riatdhesimit me të gjitha ato vende anëtare të BE-së me të cilat Kosova s’ka marrëveshje.
“Sot morëm një lajm të mirë! Këshilli i BE-së i tha PO liberalizimit të vizave, më së largu me 1 janar 2024. Ky lajm është shumë i vonuar, por megjithatë lajmi i mirë është që tanimë kemi një datë kur mund të fillojë lëvizja e lirë e qytetarëve. Puna, megjithatë, akoma nuk është e përfunduar. Qeveria e Kosovës duhet që t’i nënshkruaj marrëveshjet e riatdhesimit me të gjitha ato vende anëtare të BE-së me të cilat Kosova s’ka marrëveshje. Andaj, shpresoj që Qeveria t’i futet punës menjëherë e pa vonesë, në mënyrë që mos të ketë vonesa të tjera në këtë proces, dhe uroj që rrugës mos t’na dalin befasi të reja! Padyshim, një mirënjohje e veçantë i takon Presidencës çeke të Këshillit të BE-së, e cila ka qenë shumë konstruktive dhe proaktive në çështjen e liberalizimit të vizave”, ka shkruar ajo në Facebook.